Rregullatorët

Kosova ka disa agjenci dhe institucione që rregullojnë sektorë të ndryshëm, disa plotësisht të pavarura, tjerat si agjenci ekzekutive nën resorë përkatës të qeverisë. Në parim, qëllimi i ekzistimit të trupave rregullues është që një pjesë e rëndësishme e autorizimeve publike të ushtrohen pa ndikim politik. Pra kemi të bëjmë me sektorë të caktuar ku interesi publik është më i lartë, dhe më i ndjeshëm, prandaj edhe kërkohet rregullim para së gjithash profesional, por edhe i pavarur nga politika ditore.

Rregullimi

Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim OECD, rregullimi është gjerësisht i definuar si imponim i rregullave nga qeveria dhe i mbështetur me përdorim të gjobave që e kanë qëllim specifik ndryshimin se si sillen në ekonomi individët dhe ndërmarrjet në sektorin privat. Kurse, Legjislacioni në Kosovë nuk e definon veçantë. Ekzistojnë instrumente dhe synime të ndryshme rregulluese. Çmimet, prodhimi, norma e kthimit (në formën e fitimeve, marzhave apo provizioneve), ndarja e informacioneve, standardet dhe kufizimet e pronësisë janë ndër ato aplikohen më së shpeshti.