Certifikimi i Aeroportit
Mbikëqyrja rregullatore dhe e sigurisë së aerodromeve arrihet përmes certifikimit të aeroporteve që ofrojnë trafik ndërkombëtar, kryerjes së auditimeve dhe inspektimeve, si dhe përmes monitorimit të aktiviteteve për të verifikuar dhe siguruar përputhshmëri. Ligji nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil Pjesa 3 dhe Rregullorja nr. 1/2008 për Aerodromet theksojnë se Autoriteti do të jetë përgjegjës për certifikimin e Aerodromeve në Kosovë. Autoriteti duhet të sigurojë certifikimin dhe vazhdueshmërinë e mbikëqyrjes së aerodromeve në Kosovë. Do të kryej detyra të tilla si:
vlerësimin e aplikacionit për certifikim të aerodromit; dhe
sigurimin e mirëmbajtjes së standardeve te veçuara dhe praktikave të rekomanduara për objekte të ndryshme në aerodrom të certifikuar, përmes vëzhgimeve, inspektimeve dhe auditimeve.
Normalizimi i Hapësirës Ajrore
Hapësira ajrore e Kosovës që nga shtatori i vitit 1999 është pjesë e “Hapësirës së Përbashkët Operacionale të Ballkanit – JOA” të NATO-s, nën kontrollin operacional të Qendrës së Kontrollit të Operimeve të Kombinuara Ajrore 5 (Combined Air Operations Control 5 – CAOC5), e cila në vitin 2014 është transferuar te Qendra Torrejon e Operimeve të Kombinuara Ajrore (Combined Air Operation Centre Torrejon CAOC TJ). Kjo hapësirë ajrore është hapësirë e kontrolluar, në të cilën ofrohen shërbime për trafik ajror. Hapësira e ulët ajrore e Kosovës (nën nivelin e fluturimit 205) kontrollohet nga Ofruesi i Shërbimeve të Navigacionit Ajror ANP-KA “Adem Jashari”, i cili ofron shërbime të navigacionit ajror për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës.
Gjithashtu, shërbime ofrohen edhe për fluturimet e KFOR-it, EULEX-it dhe fluturimet e aviacionit të përgjithshëm në hapësirën e ulët ajrore të vendit. Hapësira e ulët ajrore është e klasifikuar si hapësirë e klasit D dhe F, në përputhje me dispozitat mbi klasifikimin e hapësirës ajrore nga Aneksi 11 i ICAO-s. Hapësira e lartë ajrore e Kosovës (mbi nivelin e fluturimit 205) që nga prilli i vitit 2014 është hapur për trafikun komercial.
Që nga përfundimi i luftës, hapësira e lartë ajrore e Republikës së Kosovës ka qenë e mbyllur për mbikalime të avionëve civilë dhe është nën autoritetin e NATO-s. Kontrollorët tanë të trafikut ajror ofrojnë shërbime për ngritje dhe aterrime nga Prishtina, si dhe për fluturimet tjera brenda territorit të Republikës së Kosovës (të shumtën helikopterë të KFOR-it). Kontrolli i trafikut ajror në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës është nën mbikëqyrjen rregullatore të Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Që nga shpallja e pavarësisë, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë punuar ngusht me NATO-n, KFOR-in, BE-në, ICAO-n dhe hisedarët tjerë në rajon për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit, dhe në veçanti, për hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës për mbikalime të avionëve civilë. Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të nismës së NATO-s: Mbledhja për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit (Balkans Airspace Normalization Meeting – BANM). NATO, njësoj sikur edhe autoritetet e vendit tonë, kanë qenë shumë të përkushtuar për hapjen e hapësirës së lartë ajrore. Interesim të madh kanë pasur edhe kompanitë ajrore, sepse mbi Kosovë kalojnë disa rrugë që historikisht janë shfrytëzuar shumë në trafikun ajror ndërkombëtar
Certifikimi i ASHNA-s
Certifikimi i Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajrore (ASHNA) nga ana e AAC-së është obligim që parashihet me legjislacionin në fuqi, përkatësisht me Rregulloren nr. 12/2010 të AAC-së dhe ka për qëllim të verifikojë se siguria e shërbimeve të ofruara nga ASHNA mbetet vazhdimisht në nivelin e duhur dhe kështu mundëson që transporti ajror në Kosovë realizohet në mënyrë të sigurt. ASHNA është certifikuar në gusht 2016 pasi ka përmbushur të gjitha kërkesat rregullatore që kanë të bëjnë me menaxhimin e sigurisë dhe garantimin e nivelit adekuat të shërbimeve të ofruara sipas Rregullores nr. 7/2012, e që janë pjesë e kushteve për certifikim.
Rregullimi Ekonomik
AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës. Rregullimi ekonomik i këtyre operatorëve nënkupton masat që merr një rregullator i aviacionit për t’u siguruar se tarifat të cilat i vendos aeroporti dhe ofruesi i shërbimeve të navigacionit ajror për kompanitë ajrore janë të vendosura në mënyrë të arsyeshme, transparente dhe jodiskriminuese. Për më tepër, rregullatori siguron që këto tarifa janë vendosur vetëm pasi që ofruesit dhe shfrytëzuesit e shërbimeve janë konsultuar mes veti duke i ofruar njëri-tjetrit të dhëna në mënyrë transparente. AAC-ja i rregullon dhe i miraton vetëm tarifat aeronautike, të cilat kanë lidhje me shërbimet të cilat aeroporti dhe ofruesi i shërbimeve të navigacionit ajror i ofrojnë ekskluzivisht, pa pasur kurrfarë konkurrence, siç janë tarifa e shërbimit të udhëtarëve, tarifa e aterrimit apo ajo terminale e navigacionit. Po ashtu, rregullatori mbikëqyr nëse qëndrueshmëria financiare e operatorëve, duke përfshirë të atyre që ofrojnë shërbime në tokë, është në nivel të duhur që të mos e dëmtojë sigurinë e operimeve.
Licencimi i Personelit
Çdokush që dëshiron të bëhet pilot, qoftë për aeroplan, helikopter, mjet ajror mikro të lehtë, velore (glider) apo ballonë me ajër të nxehtë, duhet të përshkojë një trajektore trajnimi të përcaktuar qartë. Kjo përfshin ligjërata teorike, si dhe trajnimin praktik në mjetit ajror në fjalë. Trajnimi përfundon me një provim. Pas trajnimit themelor, pilotët mund të ndjekin trajnime të mëtejshme për t’u bërë instruktor, pilot privat ose pilot komercial.
AAC-ja është përgjegjëse për lëshimin, ripërtëritjen dhe revokimin e licencave për personelin e aviacionit – ekuipazhin e fluturimit dhe personelin jo-pilot.
Lëshimi i licencave për kontrollorët e trafikut ajror dhe vlerësimi i gradimeve
AAC-ja është përgjegjëse për lëshim dhe ripërtëritjen e licencave të kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët ofrojnë shërbimet e kontrollit ajror në territorin e Republikës së Kosovës. Duke pasur parasysh rëndësinë e shërbimit të kontrollit të trafikut ajror në sigurinë e fluturimeve, kontrollorët duhet të përmbushin një varg të kërkesave dhe kushteve për të mirëmbajtur licencat dhe miratimet e tyre, të cilat dalin nga Rregullorja nr. 5/2012 mbi licencimin e kontrollorëve të trafikut ajror. Kërkesat kryesisht ndërlidhen me nivelin e kompetencës profesionale, përkatësisht me ndjekjen e trajnimeve profesionale përditësuese dhe ushtrimin e detyrave të kontrollorit të trafikut ajror për një numër të caktuar të orëve brenda vitit. Kontrollorët gjithashtu, në baza vjetore, i nënshtrohen vlerësimit profesional për të verifikuar nivelin e aftësive.
Licencimi i paraglajdistëve
Gjatë vitit 2014, AAC-ja ka lëshuar licencat e para për pilotë të deltaplanit dhe paraglajdit. Licencimi bëhet në përputhje me kërkesat ligjore të Rregullores nr. 1/2012 mbi Kushtet dhe mënyrën e përdorimit të deltaplanëve dhe paraglajdëve. Kandidatët duhet te kalojnë testet teorike dhe pjesën praktike. Përveç testimit teorik dhe praktik, të gjithë aplikuesit i nënshtrohen edhe ekzaminimit mjekësor, në përputhje me kërkesat e Ligjit për Aviacionin Civil.
Mjetet ajrore të ndaluara në Kosovë
Sipas nenit 45 të Ligjit për Aviacionin Civil, aeroplanët e kompanive ajrore që u është ndaluar nga BE-ja të operojnë në hapësirën ajrore të shteteve anëtare të BE-së, nuk janë lejuar të fluturojnë në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës. Për më tepër, lista e përditësuar e BE-së e kompanive ajrore të ndaluara është e postuar në faqen ne vijim: http://ec.europa.eu/transport/modes/air/safety/air-ban/doc/list_en.pdf
Anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtarë të Aviacionit
ICAO
Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të njohur në gjuhën angleze si ICAO. Sidoqoftë, në bazë të Ligjit për Aviacionin Civil, AAC-ja ka kryer obligimin e saj dhe ka nxjerrë rregullore përmes të cilave bëhen të zbatueshme standardet dhe praktikat e rekomanduara të nxjerra nga ONAC.
Analiza profesionale ligjore mbi mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë është e gatshme dhe do të bëhet efektive në një moment të përshtatshëm të përcaktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
ECAC dhe EUROCONTROL
Anëtarësimi në ICAO është parakusht që një shtet të konsiderohet për anëtarësim në organizatat panevropiane të aviacionit – Konferencën Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC) dhe Organizatën Evropiane për Sigurinë e Navigimit Ajror (EUROCONTROL)
EASA
Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) është agjenci e specializuar e BE-së, me përgjegjësi në fushën e sigurisë së aviacionit civil. Pas disa vitesh përpjekjeje të AAC-së që të lidh Aranzhime Pune me EASA-n, ka pritje të arsyeshme që aranzhimet e tilla do të lidhen gjatë vitit 2017.
Aranzhimet në fjalë do t’i mundësojnë AAC-së qasje në bazën evropiane të të dhënave të sigurisë së aeroplanëve, do të krijonin kornizën e nevojshme për inspektim të performancës së AAC-së nga EASA si dhe për asistencë nga EASA në zbatimin e plotë të dispozitave përkatëse të Marrëveshjes HPEA.
Për t’i paraprirë nënshkrimit të aranzhimeve të punës në vitin 2017, EASA do të ndërmarrë për herë të parë një vlerësim gjithpërfshirës gjatë datave 21-25 nëntor 2016 në Kosovë.
Marrëveshja mbi Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (Marrëveshja HPEA)
Marrëveshja HPEA (European Common Aviation Area – Hapësira e Përbashkët Evropiane e Aviacionit) është një marrëveshje multilaterale që krijon një treg të brendshëm unik dhe rregulla të njëjta në fushën e aviacionit, e nënshkruar në mes të qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian, Islandës, Norvegjisë dhe shteteve të Ballkanit perëndimor. UNMIK-u e ka nënshkruar këtë Marrëveshje në emër të Kosovës dhe e ka deklaruar përkohësisht të aplikueshme më 10 tetor 2006. Republika e Kosovës, përmes Deklaratës së Pavarësisë, përveç tjerash, ka marrë përsipër të gjitha detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe ato të nënshkruara në emrin tonë nga UNMIK-u. Këto detyrime përfshijnë edhe zbatimin e Marrëveshjes HPEA. Zbatimi i Marrëveshjes HPEA në Republikën e Kosovës është bërë i detyrueshëm edhe përmes Ligjit për Aviacionin Civil, ndërsa dispozitat e saj mbizotërojnë ato të legjislacionit vendor. Kosova është vlerësuar gjashtë herë nga ekspertë të KE-së për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Vlerësimi i fundit është bërë në janar të vitit 2016 . Në letrën e KE-së që përcjell raportin e vlerësimit të vitit 2016 thuhet se “raporti konfirmon progresin e konsiderueshëm të bërë nga Kosova për zbatimin e kërkesave të Marrëveshjes, jo vetëm për sa i përket fazës së pare tranzitore, por edhe të së dytës”. Ai më tej shton se “kërkesat përkatëse të fazës së parë tranzitore janë në përputhje të plotë në të gjithë sektorët e aviacionit në Kosovë, me përjashtim të dy çështjeve të mbetura në fushën e rregullimit ekonomik. Këto dy çështje kanë të bëjnë me transpozimin e disa dispozitave të Direktivës për orarin e punës, që përcaktojnë të drejtat themelore të punëtorëve, si dhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në lidhje me zbatimin e dispozitave të të drejtave të udhëtarëve.”
Institucionet tjera rregullatore
Në bazë të ligjit për Aviacion Civil, janë katër institucione publike që kanë përgjegjësi në aviacion: Ministria e Infrastrukturës, AAC-ja, MPB-ja dhe KHAIA. Ligji përcakton që Ministria e Infrastrukturës (MI) është përgjegjëse për rregullimin ekonomik të transportit ajror, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është përgjegjëse për rregullimin e aspekteve të sigurimit të aviacionit. Ndërsa ligji gjithashtu themelon Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), si institucion që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Ministria e Infrastrukturës – Departamenti i Aviacionit Civil
Departamenti i Aviacionit Civil, i cili funksionon brenda Ministrisë së Infrastrukturës, zbaton një seri funksionesh regullatore sektorin e aviacionit civil të cilat i ushtron në bazë të Ligjit për Aviacionin Civil Nr. 03/L-051.
Harton legjislacionin primar për sektorin e aviacionit civil, zbaton Marrëveshjen për Themelimin e Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit, në kuadër të kompetencave te veta, zhvillon politikat kombëtare për transportin ajror;
Inicion hartimin e rregulloreve për zbatimin e rregullimit ekonomik të transportit ajror përveç sigurisë së aviacionit, ekonomisë së aeroporteve dhe shërbimeve të navigimit ajror;
Zbaton dhe merr masat e duhura për zhvillimin e Aviacionit Civil në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e Aviacionit Civil, përcjell zhvillimin e politikave dhe programeve të aviacionit civil dhe përgatitjen e rekomandimeve, lëshon licencat për ushtrimin e veprimtarisë së transportit ajror, bashkëpunon me Autoritetin e Aviacionit Civil dhe sipas nevojës edhe me Autoritete tjera përkatëse, konsultohet për çfarëdo negociate ose marrëveshje të cilat kanë të bëjnë me transportin ajror;
Inicion përpilimin e strategjisë për zhvillimin e aviacionit civil;
Mbanë një sistem të transportit ajror i cili është në mbështetje të tregut të konkurrencës në transportin ajror;
Mbanë një sistem rregullatorë të shëndoshë dhe transparent, i cili u përgjigjet nevojave të publikut;
Përkrahë transportuesit ajror ekzistues dhe ata të rinj për hyrjen e tyre në tregjet e transportit ajror, me qëllim të promovimit të një industrie më të efektshme dhe më konkurrente të aviacionit;
Përkrahë zhvillimin e një rrjeti të qëndrueshëm ekonomik të transportit ajror, i cili nxit zhvillimin ekonomik të brendshëm dhe atë rajonalë.
Zyra e Kryeministrit – Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike(KHAIA)
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, në Zyrën e Kryeministrit, është themeluar në bazë të Ligjit Nr. 03/L- 051 për Aviacionin Civil. KHAIA është përgjegjëse për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacion brenda Kosovës ose ku përfshihen avionët e regjistruar në Kosovë, kudo qofshin ata.
KHAIA është e autorizuar që të kërkojë nga cilido autoritet publik i Kosovës dhe/ose person privat ose organizatë në Kosovë që t’i japë asaj përkrahjen e nevojshme për kryerjen e një hetimi të përcaktuar me Ligjin për Aviacionin Civil ose një hetimi i cili kërkohet sipas një marrëveshje ndërkombëtare ose organizate ndërkombëtare të aviacionit.
Numri i të punësuarve në KHAIA është 3 (tre), njëri prej të cilëve është Kryesuesi i KHAIA-s si në vijim:
Një (1) inspektor të operimeve;
Një (1) inspektor i inxhinierisë;
Një (1) inspektor incizues i fluturimeve.
KHAIA është e autorizuar që të kërkojë nga cilido autoritet publik i Kosovës dhe/ose person privat ose organizatë në Kosovë që t’i japë asaj përkrahjen e nevojshme për kryerjen e një hetimi të përcaktuar ose një hetimi i cili kërkohet sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare ose të organizatave ndërkombëtare të aviacionit. Lajmërimi i një aksidenti apo incidenti ajrorë duhet të bëhet në tel: + 377 45 356 666 Adresa: Ndërtesa e Qeverisë, Kati VII, zyra Mr. 715, Sheshi “Nëna Terezë” p.n..
Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Sigurim të Aviacionit Civil
Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për vendosjen dhe ruajtjen e sigurimit ajror në Republikën e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë përkrahjen teknike nga AAC-ja lidhur me implikimet e sigurimit në aviacion. Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për zbatimin dhe aderimin në konventat ndërkombëtare si dhe aspektet e acquis communautaire të BE-së të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e aviacionit civil.