Për projektin

Projekti Rregullatori Yt  – rregullatori.com, për qëllim ka të rris transparencën dhe llogaridhënien për punën e trupave (të pavarur) rregullues, apo shkurt rregullatorëve si institucione mbikëqyrëse të sektorëve me interes të veçantë publik si dhe të informohen qytetarët e Kosovës për rolin dhe funksionimin e tyre. Ka filluar të realizohet si projekt në kuadër të LENS prej vitit 2015 përmes përkrahjes financiare nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur – KFOS.

Në fillim të vitit 2018, projekti ka gjetur mbështetje financiare nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Do të mbështetet financiarisht nga donatori deri në fund të tetorit 2018.

Si qëllim ka të rris transparencën dhe llogaridhënien për punën e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postale (ARKEP) dhe Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP),  dy autoriteteve kryesore që kanë ndikim në kualitetin dhe sigurinë e komunikimit elektronik të Kosovës, si dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve në formën e lejimit të qarkullimit të lirë të informatave, kualitetit të tyre, si dhe mbrojtjen e qytetarëve nga shkelja e privatësisë. Këto institucione janë shpenzuese dhe/ose kontribuese të buxhetit. Synimi është që të informohen qytetarët për rolin dhe funksionin e këtyre trupave rregulluese, si dhe të fuqizohen, në mënyrë që të rrisin kërkesat për aplikimin e standardeve më të larta të etikës në punën e institucioneve publike në përgjithësi dhe rregullatorëve në veçanti.

Rezultatet e projektit:

  • Rritet sasia e informacionit dhe ngritet vetëdija qytetare për rolin dhe funksionimin e ARKEP dhe ASHMDHP, me theks të veçantë në shërbimet e tyre ndaj qytetarëve, shpenzimet e këtyre autoriteteve dhe rezultatet e punës. Informohen më shumë se 100.000 qytetarë rreth punës së 2 rregullatorëve, me përqendrim tek puna që prek direkt qytetarët, duke potencuar çështjet kryesore që janë në interes të qytetarëve;
  • Krijohet një praktikë e avokimit dhe aktivizmit qytetarë për çështjet kryesore të identifikuara. Projekti do të shërbejë si mjet komunikimi në mes të qytetarëve, shoqërisë civile nga njëra anë, dhe dy regullatorët dhe Kuvendi në anën tjetër. Rezultati konkret është përmirësim i dukshëm i punës së rregullatorëve dhe rritja e ndjeshme e transparencës së tyre, si dhe angazhimi më i thellë dhe i evidentueshëm i Kuvendit në monitorim të rregullatorëve. Kjo praktikë do të zhvillohet direkt dhe online. Si rezultat përfundimtar do të jenë shërbime më të mira dhe më të sigurta të telekomunikimit për qytetarët e Kosovës;
  • Mediat aftësohen që të bëjnë raportime të sakta dhe informuese mbi punën e autoriteteve rregullative dhe fushëveprimin e tyre. Synojmë të promovojmë rritjen e presionit publik pozitiv ndaj funksionarëve shtetërore, në dobi të respektimit të standardeve të etikes dhe integritetit, duke besuar se iniciativa jonë do të çojë drejt adaptimit të praktikave më të mira nga ana e 2 rregullatorëve në fjalë, si dhe nga ana e institucioneve mbikëqyrëse, përfshirë shoqërinë civile.

Aktivitet kryesore që janë planifikuar të realizohen në këtë fazë janë:

  • Analiza e bazës ligjore, funksionimit, rolit dhe punës së autoriteteve rregulluese të ARKEP dhe ASHMDHP;
  • Platforma për paraqitje të ankesave dhe avokim – rregullatori.com;
  • Organizimi i tryezave tematike me institucione relevante, media dhe organizata të shoqërisë civile, me fokus ato për mbrojtje të konsumatorit dhe media;
  • Organizimi i diskutimeve me qytetar dhe OSHC;
  • Një kampanjë vetëdijësuse me qytetar e cila do të jetë pjesërisht e bazuar ne mjete të promovimit në internet, ndërsa një pjesë do të bazohet ne kontakt direkt, në takime me qytetar në komuna.

Për më shumë informata në lidhje me këtë grant, do të gjeni në faqen e KSCF.

Për LENS

LENS është një organizatë e pavarur, jo politike dhe jo fitimprurëse, me bazë në Prishtinë, Kosovë. Është themeluar më 20 Maj 2010 nga ekspert të fushës së komunikimit dhe teknologjisë informative, aktivist të të drejtave të njeriut dhe entuziast të shoqërisë së hapur. Ideja e themelimit të LENS-it vjen si rezultat i interesit të përbashkët në rritjen e përdorimit të teknologjisë duke shfrytëzuar mundësitë që ajo ofron duke ngritur njëkohësisht vetëdijen rreth dëmeve si pasojë e keqpërdorimit të saj.

Lens-i është i përkushtuar të ndihmojë komunitetin në përdorimin e teknologjisë për të zhvilluar dhe promovuar liritë dhe të drejtat e tij, të sigurojë që politikat qeveritare të ndërlidhura me informacionin dhe komunikimin nuk janë kundërvepruese dhe t’u jap mundësi individëve, grupeve dhe organizatave që të përdorin teknologjinë informative dhe komunikuese për të ndërtuar komunitete të qëndrueshme. Lens në misionin e vet mbron po ashtu të drejtat e konsumatorëve që ndërlidhen në fushëveprim.

Për më tepër informata për angazhimin dhe punën e LENS, do të gjeni në faqen www.ngolens.org