Historia e funksionimit të rregullatorit të aviacionit civil të Kosovës fillon me themelimin e Zyrës së Rregullatorit të Aviacionit Civil (CARO) e themeluar në qershor të vitit 2003 në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2003/18. Mandati i CARO-s ishte të sigurojë funksionim të duhur të aktiviteteve të aviacionit civil që ndërmerren nga palët e interesit të kësaj industrie, duke filluar nga aeroportet deri tek transportuesit ajror, nga ofruesit e shërbimit të navigacionit ajror deri tek ofruesit e shërbimeve të aeroplanit në tokë. Ajo kujdesej që aktivitetet të jenë në pajtim me standardet dhe praktikat e rekomanduara siç përcaktohen nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) që të sigurohet navigacion ajror i sigurt, efektiv dhe i besueshëm, si për fluturimet që vijnë për në Kosovë ashtu edhe për ato jashtë saj.

Më 13 mars 2008, Parlamenti i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin Nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil. Ligji ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008 me dekret të Presidentit. Ligji për Aviacionin Civil, përveç tjerash, themelon Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës (AAC). Tranzicioni në bartjen e kompetencave nga UNMIK-u në institucionet e Republikës së Kosovës, zgjati deri më 31 dhjetor 2008, kur AAC-ja u bë plotësisht funksionale më 1 janar 2009.

AAC-ja është vetëm njëri nga autoritetet publike me përgjegjësi dhe funksione në fushën e aviacionit civil në vendin tonë. Ligji përcakton që Ministria e Infrastrukturës të jetë përgjegjëse për rregullimin ekonomik të transportit ajror, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është përgjegjëse për rregullimin e aspekteve të sigurimit të aviacionit. Ligji gjithashtu themelon Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), si institucion që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

 

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës
Autoriteti i Aviacionit Civil .jpg
Mbi agjencinë
Themeluar më 1 janar 2009
Raporton Kuvendit të Kosovës
Adresa Arbëri |
Rr. Ahmet Krasniqi, p. n.
10000 Prishtinë, Kosovë
Numri i Punëtorëve 27 punëtorë
Drejtori Dritan Gjonbalaj
Web Faqja http://www.caa-ks.org
Kontakti T. +38 1 38 248 629
infocaa@caa-ks.org

Vizioni dhe Misioni

Vizioni

Njohja dhe pranimi globalisht si rregullator dhe autoritet mbikëqyrës i aviacionit civil, i radhitur para të tjerëve në rajon dhe më gjerë sa i përket sigurisë së aviacionit.

Misioni

Krijimi i një ambienti të aviacionit civil në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare, përmes monitorimit të vazhdueshëm, partneritetit me industrinë dhe nivelit të lartë të kompetencës profesionale të personelit.

Struktura Organizative

Bordi Mbikëqyrës i AAC-së

Në bazë të Ligjit për Aviacionin Civil, veprimtaria e AAC-së mbikëqyret nga Bordi Mbikëqyrës, i cili përbëhet nga pesë anëtarë. Bordi vepron me orar jo të plotë dhe takohet së paku një herë për çdo tremujor kalendarik. Kryesuesi e përfaqëson Bordin në publik dhe menaxhon dhe organizon punën e Bordit.

Bordi merr vendim me shumicë votash dhe ka kuorumin e nevojshëm për marrjen e një vendimi nëse së paku tre anëtarë të Bordit janë të pranishëm. Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së i dorëzon Bordit Mbikëqyrës raport gjithëpërfshirës të punës çdo tre muaj dhe raportin vjetor në fund të çdo viti kalendarik.

Bordi Mbikëqyrës nuk ka kompetenca ekzekutive, kompetenca të zbatimit ose kompetenca rregullatore, por është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe shqyrtimin e (i) aktiviteteve dhe vendimeve të AAC-së mbi çështjet administrative, ekzekutive, rregullatore dhe të licencimit, dhe (ii) të gjitha aspekteve të menaxhimit financiar, të të ardhurave dhe shpenzimeve të AAC-së.

Sipas Ligjit për Aviacionin Civil, mandati i Kryesuesit të Bordit, dhe i një anëtari të Bordit është dyvjeçar, ndërsa mandati i tre anëtarëve tjerë është katërvjeçar. Qeveria ka emëruar përbërjen e re të bordit në qershor 2016. Kryetar i Bordit është emëruar Samed Dalipi, kurse anëtarë: Bekim Jashari, Ardian Gaxherri dhe Adelina Salihu.

Struktura organizative e AAC-së

Në bazë të Rregullores për organizimin dhe funksionimin e brendshëm dhe sistemimin e vendeve të punës, struktura organizative e AAC-së përbëhet nga: a) Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Zyra e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm i) Zyra e auditimit të brendshëm dhe kontrollit të cilësisë ii) Zyra për shërbime juridike dhe çështje rregullatore iii) Zyra për marrëdhënie me publikun b) Departamenti i Sigurisë së Fluturimeve c) Departamenti i Shërbimeve të Navigacionit Ajror d) Departamenti i Aerodromeve e) Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Rregullim Ekonomik të Aviacionit f) Departamenti i Administratës dhe Burimeve Njerëzore. Në vazhdim është skema organizative e AAC-së, në përputhje me Rregulloren e funksionimit të brendshëm dhe sistemimin e vendeve të punës, Shih Organogramin

Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së

Drejtori i Përgjithshëm i aviacionit civil punon me orar të plotë. Drejtori i Përgjithshëm është zyrtar i AAC-së, i cili është përgjegjës për menaxhimin e përditshëm dhe vendimmarrjen në AAC. Drejtori i Përgjithshëm përgjigjet para Kuvendit lidhur me përputhshmërinë e AAC-së me politikat e aviacionit civil si dhe të gjitha ligjet dhe standardet e zbatueshme në Republikën e Kosovës.

Z. Dritan Gjonbalaj është riemëruar Drejtor i Përgjithshëm i AAC-së nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 22 nëntor 2013 përmes Vendimit nr. 8/157, pas propozimit të Ministrit të Infrastrukturës. Mandati i Drejtorit të Përgjithshëm zgjat pesë (5) vjet. Sipas Ligjit për Aviacionin Civil, Drejtori i Përgjithshëm mund të riemërohet nga Qeveria edhe për mandate të tjera pasuese me kohëzgjatje të njëjtë.

Deklarimi i Pasurisë

Dritan Gjonbalaj

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil punon poashtu me orar të plotë. Zëvendësdrejtori ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm në udhëheqjen ekzekutive dhe administrative të AAC-së dhe, në mungesë të Drejtorit të Përgjithshëm, kryen funksionet e tij.

Që nga shkurti i vitit 2015 AACK funksionon pa zv./Drejtor të Përgjithshëm.

Note: Sipas Ligjit Për Aviacionit Civil të Kosovës, Drejtori i AAC-së emërohet nga Qeveria, por jo Zv./Drejtori.

Organogrami i AAC-së

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka këtë strukturë organizative:

AAC.jpg

Korniza Ligjore

AAC-ja vepron në mbështetje të dispozitave të Ligjit nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, sipas të cilit edhe është themeluar. Ky ligj është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në pajtim me nenin 130 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mbi bazën e këtij ligji, AAC-ja ka nxjerrë akte nënligjore në formë të rregulloreve, udhëzimeve administrative dhe vendimeve, me të cilat janë zbatuar më konkretisht dispozitat e Ligjit për Aviacionin Civil. Funksionimi dhe organizimi i brendshëm është bërë me rregulloren e brendshme të nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm, në bazë të nenit 14.2 të Ligjit për Aviacionin Civil dhe sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë Ligjin për Administratën Shtetërore, Ligjin për Shërbimin Civil dhe rregulloret e Qeverisë së Kosovës për shërbimin civil.

Ligjet

LIGJI NR. 03/L-051 PËR AVIACIONIN CIVIL

Rregulloret

Rregulloret e aprovuara gjatë vitit 2016:

Rregullore nr. 1/2016 për plotësimin e Rregullores nr. 8/2009, për vendosjen e kornizës për krijimin e Qiellit të Vetëm Evropian, Rregulloren nr. 9/2009, për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror në Qiellin e Vetëm Evropian, Rregulloren nr. 10/2009 për organizimin dhe shfrytëzimin e hapësirës ajrore në Qiellin e Vetëm Evropian, dhe Rregulloren nr. 11/2009 për ndërveprueshmëri të rrjetit të menaxhimit të trafikut ajror evropian; Rregullore nr. 2/2016 për zbatimin e Shtojcës 10 në Konventën Ndërkombëtare mbi Aviacionin Civil për Telekomunikacionin Aeronautik;

Rregullore nr. 3/2016 për përcaktimi e skemës së përbashkët të tarifave për shërbimet e navigacionit ajror;

Rregullore nr. 4/2016 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores nr. 5/2010 mbi Zonat Mbrojtëse të Aeroportit;

Rregulloret e aprovuara gjatë vitit 2015:

Rregullore nr. 1/2015 për amandamentimin e Rregullores nr. 8/2014 për bartjen e mallrave të rrezikshme përmes ajrit. Rregullorja ka hyrë në fuqi më 1 prill 2015. Megjithatë, sipas kërkesës së hisedarëve të prekur me zbatimin e kësaj rregulloreje, është shtyrë afati i zbatimit të saj deri më 30 qershor 2015. Gjatë këtij afati të gjithë operatorët e përfshirë në bartjen e mallrave të rrezikshme përmes ajrit duhet të certifikohen në bazë të Rregullores nr. 8/2014.

Rregullore nr. 2/2015 për tarifat e ngarkuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës. Me këtë rregullore zëvendësohet Rregullorja nr. 7/2011 për tarifat e ngarkuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës. Rregullorja ka hyrë në fuqi më 6 maj 2015;

Rregullore nr. 3/2015 mbi tarifat e aeroportit. Me këtë rregullore shfuqizohet Rregullorja nr. 1/2011 për tarifat e aeroportit. Konsultimi publik për këtë rregullore është bërë nga data 16 prill deri më 2 maj 2015, ndërsa është marrë pëlqimi nga Ministria e Financave, Departamenti i PPP-së. Rregullorja ka hyrë në fuqi më 23 qershor 2015;

Rregullore nr. 4/2015 që përcakton kërkesat teknike dhe procedurat administrative në lidhje me operimet ajrore, ka hyrë në fuqi më 24 korrik 2015; Rregullore nr. 5/2015, e cila përcakton kërkesat teknike dhe procedurat administrative në lidhje me ekuipazhin ajror të aviacionit civil. Rregullorja ka hyrë në fuqi më 24 korrik 2015;

Rregullore nr. 6/2015 për përcaktimin e rregullave implementuese për certifikimin e vlefshmërisë ajrore dhe certifikimin mjedisor të mjeteve ajrore dhe prodhimeve, pjesëve dhe pajisjeve të lidhura me to, si dhe për certifikimin e organizatave projektuese dhe prodhuese, ka hyrë në fuqi më 24 korrik 2015;

Rregullore nr. 7/2015 për vlefshmërinë ajrore të vazhdueshme të mjeteve ajrore dhe prodhimeve, pjesëve dhe pajisjeve aeronautike, si dhe për aprovimin e organizatave dhe personelit të përfshirë në këto detyra, ka hyrë në fuqi më 24 korrik 2015;

Rregullore nr. 8/2015 për kërkesat e cilësisë së të dhënave dhe informatave aeronautike për qiellin e vetëm evropian, ka hyrë në fuqi më 25 korrik 2015 Rregullore nr. 9/2015 për aerodromet e regjistruara, ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 2015;

Rregullore nr. 10/2015 për themelimin e listës së komunitetit të transportuesve ajrorë, të cilët i nënshtrohen ndalimit të operimeve brenda komunitetit dhe në lidhje me informimin e aviopasagjerëve për identitetin e transportuesit ajror, ka hyrë në fuqi më 20 nëntor 2015;

Rregullore nr. 11/2015, e cila përcakton rregullat implementuese për listën e komunitetit të transportuesve ajrorë, të cilët i nënshtrohen ndalimit të operimeve brenda komunitetit, ka hyrë në fuqi më 20 nëntor 2015;

Rregullore nr. 12/2015 për themelimin e listës së komunitetit të transportuesve ajrorë, të cilët i nënshtrohen ndalimit të operimeve brenda komunitetit, ka hyrë në fuqi më 20 nëntor 2015;

Rregullore nr. 13/2015 për mbledhjen dhe shkëmbimin e informatave mbi sigurinë e mjeteve ajrore, të cilat përdorin aeroportet e komunitetit dhe menaxhimin e sistemit të informatave, ka hyrë në fuqi më 20 nëntor 2015;

Rregullore nr. 14/2015 për prioritetizimin e inspektimeve në platformë të mjeteve ajrore që përdorin aeroportet e komunitetit, ka hyrë në fuqi më 20 nëntor 2015.

Rregulloret e aprovuara gjatë vitit 2014:

Rregullore nr. 1/2014 mbi aftësimin profesional të punonjësve të aerodromit dhe punonjësve tjerë të kontraktuar, ofruesve të shërbimeve në tokë dhe përdoruesve të shërbimeve të aerodromeve të cilët vetë kryejnë shërbime në tokë. Kjo rregullore përcakton standardet dhe kërkesat për aftësimin profesional të punonjësve të aeroportit, ofruesve të shërbimeve në tokë etj. Për më tepër, kjo rregullore përcakton kushtet dhe kërkesat për autorizimin e organizatave për aftësimin profesional në fushën e aerodromeve. Rregullorja ka kaluar procesin e konsultimit publik gjatë muajit dhjetor 2013, ndërsa ka hyrë në fuqi më 14 shkurt 2014.

Rregullore nr. 2/2014 për zbatimin e Aneksit 3 në Konventën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil për shërbime meteorologjike. Kjo rregullore ndërlidhet me shërbimet meteorologjike dhe transponon standardet dhe praktikat e rekomanduara që dalin nga Aneksi 3 i Konventës së Çikagos. Rregullorja ka kaluar procesin e konsultimit publik, ndërsa ka hyrë në fuqi më 18 shkurt 2014.

Rregullore nr. 3/2014 mbi ngritjen dhe aterrimin e helikopterëve jashtë zonave të aerodromeve, Rregullorja përcakton kushtet për operim të helikopterëve jashtë zonave të aerodromeve. Rregullorja ka kaluar procesin e konsultimit publik, ndërsa ka hyrë në fuqi më 18 shkurt 2014.

Rregullore nr. 4/2014 mbi licencimin e personelit. Rregullorja përcakton kushtet për licencim të personelit të aviacionit sipas kërkesave të Aneksit nr. 1 në Konventën e Çikagos. Rregullorja ka kaluar procesin e konsultimit publik, ndërsa ka hyrë në fuqi më 19 shkurt 2014.

Rregullore nr. 5/2014 mbi vlefshmërinë e mjeteve ajrore. Rregullorja përcakton kushtet për vlefshmëri ajrore të mjeteve ajrore sipas kërkesave të Aneksit nr. 8 në Konventën e Çikagos. Rregullorja ka kaluar procesin e konsultimit publik, ndërsa ka hyrë në fuqi më 19 shkurt 2014.

Rregullore nr. 6/2014 për sistemet e mjeteve ajrore pa pilot me peshë më të vogël se 20 kilogramë. Rregullorja përcakton kushtet për operim me fluturake pa pilot deri në 20 kg. Rregullorja ka kaluar procesin e konsultimit publik me të gjitha palët e interesit, përfshirë këtu edhe KFOR-in, ndërsa ka hyrë në fuqi më 8 prill 2014.

Rregullore nr. 7/2014 mbi operimin e mjeteve ajrore. Me këtë rregullore parashihen kushtet e operimit të mjeteve ajrore në Republikën e Kosovës në përputhje me Aneksin 6 të Konventës së Çikagos. Rregullorja ka kaluar procesin e konsultimit publik me të gjitha palët e interesit, ndërsa ka hyrë në fuqi më 17 prill 2014.

Rregullore nr. 8/2014 për kushtet dhe mënyrën e transportimit të mallrave të rrezikshme përmes ajrit. Më këtë rregullore është zëvendësuar Rregullorja nr. 6/2011 për bartjen e mallrave të rrezikshme përmes ajrit. Rregullorja ka hyrë në fuqi më 25 tetor 2014.

Rregullore nr. 9/2014 mbi hartat aeronautike. Më këtë rregullore është mundësuar zbatimi i Standardeve dhe Praktikave të Rekomanduara siç janë parashtruar në Aneksin nr. 4 të Konventës së Çikagos, lidhur me hartat aeronautike. Një numër i praktikave të rekomanduara janë bërë standarde të detyrueshme si shenjë e zhvillimit të avancuar të kësaj fushe në Republikën e Kosovës. Rregullorja ka hy në fuqi më 29 nëntor 2014.

Vendimet

Vendimet ekzekutive 2014

Vendim nr. 01/ZDP/VE/2014, i datës 21 shkurt 2014, për certifikimin e Institutit Kombëtar të Mjekësisë së Punës në Gjakovë si Qendër e Mjekësisë së Aviacionit;

Vendim nr. 02/ZDP/VE/2014, i datës 6 mars 2014, për aprovimin e Programit Nxitës të ANP “Adem Jashari”;

Vendim nr. 03/ZDP/VE/2014, i datës 18 dhjetor 2014, mbi emërimin e z. Zlatko Spirkovski si ekzaminer për licencim të pilotëve për deltaplan dhe paraglajd;

Vendim nr. 04/ZDP/VE/2014, i datës 22 dhjetor 2014, për aprovim të pjesshëm të kërkesës së FAK për lirim nga pagesa e tarifës për lëshim të licencës së pilotit për paraglajd;

Vendimet ekzekutive 2015

Vendim Nr. 02/ZDP/VE/2015, i datës 6 maj 2015, për Komisionin e Ankesave;

Vendim Nr. 01/ZDP/VE/2015, i datës 2 prill, për Programin Nxitës të ANP “Adem Jashari”.

Vendimet ekzekutive 2016

Nuk ka.

Financimi dhe Buxheti

AAC-ja vetëfinancohet nga të ardhurat e dedikuara, siç përcaktohen në Ligjin nr. 3/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Sipas Nenit 25 të Ligjit nr. 3/L-051 për Aviacionin Civil, të ardhurat e dedikuara të AAC-së përbëhen nga:

  • taksat të cilat ndërlidhen me aviacionin, detyrimet dhe tarifat;
  • një përqindje nga shërbimet e navigacionit ajror që ofrohen brenda hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës;
  • tarifat për sigurinë e pasagjerëve dhe tarifat e certifikimit dhe licencimit; dhe
  • donacionet, grantet dhe përkrahjet (mbështetjet) tjera financiare ose teknike të caktuara për AAC-në

Që nga 1 janari 2009 zbatohet Rregullorja nr. 2008/7 e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit për përcaktimin e tarifës së sigurisë së udhëtarëve që udhëtojnë me fluturime komerciale nga Kosova. Kjo Rregullore përcakton një tarifë sigurie prej 2 eurosh për çdo udhëtar që niset nga Kosova me fluturime komerciale. Fondet e mbledhura nga kjo tarifë sigurie janë të ardhura të dedikuara për AAC-në me qëllim të mbulimit të shpenzimeve operative në pajtim me Ligjin nr. 3/L-051 për Aviacionin Civil. Duke filluar që nga gjysma e vitit 2011, AAC-ja me anë të Rregullores nr. 7/2011, zëvendësuar me Rregulloren nr. 2/2015, ka siguruar bazën ligjore për mbledhjen e tarifave për shërbimet të cilat ajo i ofron, siç janë shërbimet për dhënien e licencave, lejeve, certifikatave të ndryshme dhe kryerjen e inspektimeve dhe auditimeve, të gjitha këto brenda kompetencave të AAC-së për rregullimin e aviacionit civil në Republikën e Kosovës

Buxheti i AAC-së për vitin 2014 ishte 841,375.00 €. Gjatë vitit fiskal 2014, AAC-ja ka shpenzuar 822,116.00 € që do të thotë se është realizuar 98% e buxhetit të miratuar. Ndërkaq, të hyrat nga tarifa e sigurisë kanë arritur vlerën prej 1,368,546 €

Përshkrimi 2012 2013 2014
Burimet e Fondeve
Granti qeveritar 731,568 729,460 822,116
Të Hyrat Vetanake
Fondi për Qëllime të Dedikuara
Fondi nga Huamarrja
Të Hyrat Tjera
Shpenzimet
Paga dhe Rroga 379,386 459,035 594,457
Mallra dhe Shërbime 339,108 258,700 220,039
Shërbime Komunale 13,074 11,725 7,619
Shpenzime Kapitale
Shpenzime Tjera
Gjithsejtë Shpenzime 731,568 729,460 822,116
Të hyrat
Të hyrat nga taksat
Të hyrat nga dënimet – gjobat
Të hyrat nga certifikimi dhe licencimi 9,400 21,835 8,700
Të hyrat nga licencat
Të hyrat nga licencat
Të hyrat nga shitja e pasurisë dhe shërbimeve
Të hyrat nga tarifa e sigurisë së pasagjerëve 1,359,146 1,634,706 1,489,450
Të hyrat nga interesi bankar
Gjithsejtë të hyrat 1,498,150 1,656,541 1,368,546

Raportet e Auditorit Gjeneral për AACK-në

Këto raporte përmbledhin çështjet kryesore që dalin nga auditimi i pasqyrave vjetore financiare (PVF-të) nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm

2015

2014

2013

2012

Përgjegjësitë e AACK-së

AAC është përgjegjëse për: – zbatimin e legjislacionit mbi aviacionin civil dhe zbatimin e politikave të miratuara nga MI-ja ose Qeveria në fushën e aviacionit civil; – ofrimin e këshillave dhe propozimeve për MI-në, Qeverinë dhe Kuvendin lidhur me politikat dhe legjislacionin nga fusha e aviacionit civil; – nxjerrjen e rregulloreve zbatuese dhe urdhrave të navigacionit ajror, në përputhje me Ligjin për Aviacionin Civil dhe Marrëveshjen mbi Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit, me qëllim të zbatimit të politikave të aviacionit civil të MI-së dhe legjislacionit përkatës nga fusha e aviacionit civil; – lëshimin e licencave, certifikatave dhe lejeve në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e AAC-së të përcaktuara nga Ligji për Aviacionin Civil; – rregullimin e sigurisë së transportit ajror në Republikën e Kosovës; – rregullimin e ekonomisë së aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror; – ofrimin e këshillave për MI-në në lidhje me përgatitjen nga Ministri të propozim-politikave mbi shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat i përmbushin nevojat e shfrytëzuesve, duke pasur parasysh sigurinë kombëtare, faktorët ekonomikë dhe mjedisorë dhe nevojën për standarde të larta të sigurisë; – mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit në mënyrë efektive të legjislacionit, standardeve, rregullave, procedurave dhe urdhrave të aviacionit civil, përveç kur, me Ligjin për Aviacionin Civil ose me një akt tjetër themelor juridik, ky funksion shprehimisht i është dhënë MI-së ose një autoriteti tjetër publik; – shpërndarjen e informatave për publikun rreth çështjeve relevante mbi funksionet dhe aktivitetet e AAC-së; marrjen e masave, kryerjen e hetimeve dhe inspektimeve dhe nxjerrjen urdhrave, rregullave, rregulloreve dhe/ose procedurave të cilat AAC-ja me arsye i konsideron të nevojshme për (i) zbatimin e rregullt dhe të ligjshëm të dispozitave të Ligjit për Aviacionin Civil ose (ii) ushtrimin e rregullt dhe të ligjshëm të kompetencave dhe detyrave të cilat i janë dhënë AAC me këtë ligj; dhe – ushtrimin e funksioneve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me aviacionin civil në Kosovë që i janë dhënë AAC-së sipas Ligjit për Aviacionin Civil ose një akti tjetër themelor juridik.

Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjegjës për funksionet rregulluese dhe mbikëqyrëse në Kosovë të cilat përfshijnë:

  • Ofruesit e Shërbimeve të Navigimit Ajror;
  • Rregullimin e operimeve të fluturimit;
  • Vlefshmërinë ajrore të avionëve;
  • Licencimin e personelit;
  • Certifikimin e aerodromeve; dhe
  • Rregullimin ekonomik të aerodromeve dhe të ofruesve të shërbimeve të navigimit ajror

Departamentet

Departamenti i Shërbimeve të Navigacionit Ajror (SHNA)

Departamenti i Shërbimeve të Navigacionit Ajror (SHNA) është përgjegjës për rregullimin, monitorimin, inspektimin, certifikimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të sigurisë së Ofruesve të Shërbimeve të Navigacionit Ajror (OSHNA) brenda Republikës së Kosovës. Ai siguron që legjislacioni dhe standardet e sigurisë për OSHNA-ve të jenë në përputhje me standardet dhe praktikat e rekomanduara të ICAO-së, legjislacionin (acquis) e aviacionit të BE-së, duke përfshirë rregullat e EUROCONTROL-it. Departamenti i SHNA-së është përgjegjës për certifikimin dhe mbikëqyrjen e mëvonshme të sigurisë së OSHNA-ve brenda Republikës së Kosovës, të cilët përfshijnë shërbimet e mëposhtme:

– Kontrollin e Trafikut Ajror (ATC);

– Komunikimin, Navigacionin dhe Survejimin (CNS);

– Shërbimin e Informacioneve Aeronautike (AIS); dhe

– Shërbimin Meteorologjik (METEO).

Departamenti i SHNA-së është përgjegjës për licencimin e kontrollorëve të trafikut ajror (ATCO), verifikimin e kompetencës dhe gjendjes së tyre shëndetësore.

AACK-ja është caktuar si Autoritet Mbikëqyrës Kombëtar (NSA) siç parashikohet në Rregulloren (EC) Nr 549/2004 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 10 marsit 2004, e cila krijon kuadrin për krijimin e qiellit të vetëm Evropian. Departamenti i SHNA-së siguron që informacionet aeronautike të botohen në Publikimin e Informacioneve Aeronautike (AIP) dhe ato të jenë në dispozicion për përdorim nga operatorët ajror që operojnë në hapësirën ajrore të Kosovës.

Departamenti i Aerodromeve

Departamenti i Aerodromeve është përgjegjës për rregullimin e aerodromeve dhe zbatimin e legjislacionit të aplikueshëm kosovar dhe të standardeve relevante të aerodromeve nga Anekset përkatëse të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar. Po ashtu, ai është përgjegjës për çështjet mjedisore në afërsi të aerodromeve duke përfshirë menaxhimin me kafshët e egra, shfrytëzimin e tokës dhe zhurmën, si dhe mbrojtjen e aerodromeve. Departamenti ka si rol zhvillimin e dokumenteve të politikave të aerodromeve dhe aeroporteve, zhvillimin dhe promovimin e materialeve të brendshme udhëzuese si dhe të atyre për industrinë, duke siguruar ambient të sigurt të aviacionit dhe duke udhëhequr drejt përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve të sigurisë së aviacionit në Kosovë. Ai siguron që të dhënat e aerodromeve të pasqyrohen në Publikimin e Informacioneve Aeronautike janë të sakta.

Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Rregullimit Ekonomik të Aviacionit

Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Rregullim Ekonomik është përgjegjës për marrëdhëniet e AAC-së me jashtë si dhe bën mbikëqyrjen ekonomike të aeroporteve, shërbyesve të navigacionit ajror si dhe të kompanive që ofrojnë shërbime në tokë në aeroporte.

Departamenti ndahet në dy sektorë: i. Sektorin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe ii. Sektorin e Rregullimit Ekonomik të Aviacionit

Sektori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar ka përgjegjësitë e mëposhtme: a) Krijon dhe mirëmban ndërlidhje me organizatat ndërkombëtare dhe ato evropiane të aviacionit siç janë ICAO, EASA, EUROCONTROL-i, ECAC, etj.; b) Krijon dhe mirëmban ndërlidhje me autoritetet aeronautike rajonale, evropiane dhe panevropiane me qëllim të shkëmbimit të ekspertizës, dokumentacionit dhe personelit; c) Shërben si pikë kontakti në Republikën e Kosovës në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA). d) Raporton në Ministrinë e Integrimeve Evropiane mbi përmbushjen e detyrave që ka AAC-ja në Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. e) Koordinon asistencën teknike ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil që ofrohet nga Komisioni Evropian dhe donatorët e tjerë. Sektori i Rregullimit Ekonomik të Aviacionit ka përgjegjësitë e mëposhtme: a) Siguron bazën ligjore mbi rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe të shërbyesve të navigimit ajror në Republikën e Kosovës dhe monitoron zbatimin e tyre; b) Miraton tarifat e rregulluara aeronautike që i ngarkojnë operatorët e aerodromeve dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në pajtim me legjislacionin në fuqi; c) Mbikëqyr qëndrueshmërinë financiare të aeroporteve dhe Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror; d) Vlerëson kushtet ekonomike të operatorëve që aplikojnë për t’u aprovuar si ofrues të shërbimeve në tokë në aeroportet e Kosovës. Përmes mbikëqyrjes së vazhdueshme, siguron që këto kompani janë ekonomikisht të qëndrueshme në mënyrë që të ofrojnë operime të sigurta; d) Mbledh dhe analizon të dhënat statistikore në lidhje me transportin e udhëtarëve, mallrave dhe postës për/nga aeroportet e Kosovës. e) Siguron që politikat e aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror (OSHNA) në vendosjen e çmimeve nuk diskriminojnë pa arsye ndonjë klasë të shfrytëzuesve të aeroporteve apo cilindo shfrytëzues, apo nuk e përdorin në mënyrë të padrejtë pozitën kushtëzuese të tyre në raport me shfrytëzuesit për shkak të fuqisë së monopolit të tyre.

Departamenti i Sigurisë së Fluturimeve

Departamenti është përgjegjës për hartimin e legjislacionit përkatës të aviacionit civil si dhe standardeve dhe udhëzimeve për industrinë e aviacionit. Mbajtësve të Certifikatës së Operatorit Ajror (AOC Holders), Organizatave për Mirëmbajtje të Vazhdueshme të Vlefshmërisë Ajrore (CAMO), Organizatave për Trajnime të Fluturimit (FTO) etj. Departamenti poashtu vlerëson dhe zbaton kërkesat e Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe standardeve dhe praktikave të rekomanduara të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin ligjor kombëtar. Fushëveprimi kyç i Departamentit të Sigurisë së Fluturimeve ndahet në pesë aktivitete (Sektorë): – Sektori i Operimeve Ajrore, – Sektori i Vlefshmërisë Ajrore, – Sektori i Trajnimit dhe Licencimit të Personelit të Aviacionit, – Sektori i Aviacionit të Përgjithshëm, dhe – Sektori i Mjekësisë së Aviacionit.

Departamenti i Administratës dhe Burimeve Njerëzore

Departamenti i Administratës dhe Burimeve Njerëzore është përgjegjës për mbështetjen e përgjithshme operative të AAC-së, menaxhimin e burimeve njerëzore, financave, buxhetit, prokurimit dhe çështjeve të logjistikës.

Anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtarë të Aviacionit

ICAO

Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të njohur në gjuhën angleze si ICAO. Sidoqoftë, në bazë të Ligjit për Aviacionin Civil, AAC-ja ka kryer obligimin e saj dhe ka nxjerrë rregullore përmes të cilave bëhen të zbatueshme standardet dhe praktikat e rekomanduara të nxjerra nga ONAC.

Analiza profesionale ligjore mbi mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë është e gatshme dhe do të bëhet efektive në një moment të përshtatshëm të përcaktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

ECAC dhe EUROCONTROL

Anëtarësimi në ICAO është parakusht që një shtet të konsiderohet për anëtarësim në organizatat panevropiane të aviacionit – Konferencën Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC) dhe Organizatën Evropiane për Sigurinë e Navigimit Ajror (EUROCONTROL)

EASA

Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) është agjenci e specializuar e BE-së, me përgjegjësi në fushën e sigurisë së aviacionit civil. Pas disa vitesh përpjekjeje të AAC-së që të lidh Aranzhime Pune me EASA-n, ka pritje të arsyeshme që aranzhimet e tilla do të lidhen gjatë vitit 2017.

Aranzhimet në fjalë do t’i mundësojnë AAC-së qasje në bazën evropiane të të dhënave të sigurisë së aeroplanëve, do të krijonin kornizën e nevojshme për inspektim të performancës së AAC-së nga EASA si dhe për asistencë nga EASA në zbatimin e plotë të dispozitave përkatëse të Marrëveshjes HPEA.

Për t’i paraprirë nënshkrimit të aranzhimeve të punës në vitin 2017, EASA do të ndërmarrë për herë të parë një vlerësim gjithpërfshirës gjatë datave 21-25 nëntor 2016 në Kosovë.

Marrëveshja mbi Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (Marrëveshja HPEA)

Marrëveshja HPEA (European Common Aviation Area – Hapësira e Përbashkët Evropiane e Aviacionit) është një marrëveshje multilaterale që krijon një treg të brendshëm unik dhe rregulla të njëjta në fushën e aviacionit, e nënshkruar në mes të qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian, Islandës, Norvegjisë dhe shteteve të Ballkanit perëndimor. UNMIK-u e ka nënshkruar këtë Marrëveshje në emër të Kosovës dhe e ka deklaruar përkohësisht të aplikueshme më 10 tetor 2006. Republika e Kosovës, përmes Deklaratës së Pavarësisë, përveç tjerash, ka marrë përsipër të gjitha detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe ato të nënshkruara në emrin tonë nga UNMIK-u. Këto detyrime përfshijnë edhe zbatimin e Marrëveshjes HPEA. Zbatimi i Marrëveshjes HPEA në Republikën e Kosovës është bërë i detyrueshëm edhe përmes Ligjit për Aviacionin Civil, ndërsa dispozitat e saj mbizotërojnë ato të legjislacionit vendor. Kosova është vlerësuar gjashtë herë nga ekspertë të KE-së për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Vlerësimi i fundit është bërë në janar të vitit 2016 . Në letrën e KE-së që përcjell raportin e vlerësimit të vitit 2016 thuhet se “raporti konfirmon progresin e konsiderueshëm të bërë nga Kosova për zbatimin e kërkesave të Marrëveshjes, jo vetëm për sa i përket fazës së pare tranzitore, por edhe të së dytës”. Ai më tej shton se “kërkesat përkatëse të fazës së parë tranzitore janë në përputhje të plotë në të gjithë sektorët e aviacionit në Kosovë, me përjashtim të dy çështjeve të mbetura në fushën e rregullimit ekonomik. Këto dy çështje kanë të bëjnë me transpozimin e disa dispozitave të Direktivës për orarin e punës, që përcaktojnë të drejtat themelore të punëtorëve, si dhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në lidhje me zbatimin e dispozitave të të drejtave të udhëtarëve.”

Veprimtaritë Kryesore

Certifikimi i Aeroportit

Mbikëqyrja rregullatore dhe e sigurisë së aerodromeve arrihet përmes certifikimit të aeroporteve që ofrojnë trafik ndërkombëtar, kryerjes së auditimeve dhe inspektimeve, si dhe përmes monitorimit të aktiviteteve për të verifikuar dhe siguruar përputhshmëri. Ligji nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil Pjesa 3 dhe Rregullorja nr. 1/2008 për Aerodromet theksojnë se Autoriteti do të jetë përgjegjës për certifikimin e Aerodromeve në Kosovë. Autoriteti duhet të sigurojë certifikimin dhe vazhdueshmërinë e mbikëqyrjes së aerodromeve në Kosovë. Do të kryej detyra të tilla si:

  • vlerësimin e aplikacionit për certifikim të aerodromit; dhe
  • sigurimin e mirëmbajtjes së standardeve te veçuara dhe praktikave të rekomanduara për objekte të ndryshme në aerodrom të certifikuar, përmes vëzhgimeve, inspektimeve dhe auditimeve.

Normalizimi i Hapësirës Ajrore

Hapësira ajrore e Kosovës që nga shtatori i vitit 1999 është pjesë e “Hapësirës së Përbashkët Operacionale të Ballkanit – JOA” të NATO-s, nën kontrollin operacional të Qendrës së Kontrollit të Operimeve të Kombinuara Ajrore 5 (Combined Air Operations Control 5 – CAOC5), e cila në vitin 2014 është transferuar te Qendra Torrejon e Operimeve të Kombinuara Ajrore (Combined Air Operation Centre Torrejon CAOC TJ). Kjo hapësirë ajrore është hapësirë e kontrolluar, në të cilën ofrohen shërbime për trafik ajror. Hapësira e ulët ajrore e Kosovës (nën nivelin e fluturimit 205) kontrollohet nga Ofruesi i Shërbimeve të Navigacionit Ajror ANP-KA “Adem Jashari”, i cili ofron shërbime të navigacionit ajror për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës.

Gjithashtu, shërbime ofrohen edhe për fluturimet e KFOR-it, EULEX-it dhe fluturimet e aviacionit të përgjithshëm në hapësirën e ulët ajrore të vendit. Hapësira e ulët ajrore është e klasifikuar si hapësirë e klasit D dhe F, në përputhje me dispozitat mbi klasifikimin e hapësirës ajrore nga Aneksi 11 i ICAO-s. Hapësira e lartë ajrore e Kosovës (mbi nivelin e fluturimit 205) që nga prilli i vitit 2014 është hapur për trafikun komercial.

Që nga përfundimi i luftës, hapësira e lartë ajrore e Republikës së Kosovës ka qenë e mbyllur për mbikalime të avionëve civilë dhe është nën autoritetin e NATO-s. Kontrollorët tanë të trafikut ajror ofrojnë shërbime për ngritje dhe aterrime nga Prishtina, si dhe për fluturimet tjera brenda territorit të Republikës së Kosovës (të shumtën helikopterë të KFOR-it). Kontrolli i trafikut ajror në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës është nën mbikëqyrjen rregullatore të Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Që nga shpallja e pavarësisë, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë punuar ngusht me NATO-n, KFOR-in, BE-në, ICAO-n dhe hisedarët tjerë në rajon për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit, dhe në veçanti, për hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës për mbikalime të avionëve civilë. Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të nismës së NATO-s: Mbledhja për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit (Balkans Airspace Normalization Meeting – BANM). NATO, njësoj sikur edhe autoritetet e vendit tonë, kanë qenë shumë të përkushtuar për hapjen e hapësirës së lartë ajrore. Interesim të madh kanë pasur edhe kompanitë ajrore, sepse mbi Kosovë kalojnë disa rrugë që historikisht janë shfrytëzuar shumë në trafikun ajror ndërkombëtar

Certifikimi i ASHNA-s

Certifikimi i Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajrore (ASHNA) nga ana e AAC-së është obligim që parashihet me legjislacionin në fuqi, përkatësisht me Rregulloren nr. 12/2010 të AAC-së dhe ka për qëllim të verifikojë se siguria e shërbimeve të ofruara nga ASHNA mbetet vazhdimisht në nivelin e duhur dhe kështu mundëson që transporti ajror në Kosovë realizohet në mënyrë të sigurt. ASHNA është certifikuar në gusht 2016 pasi ka përmbushur të gjitha kërkesat rregullatore që kanë të bëjnë me menaxhimin e sigurisë dhe garantimin e nivelit adekuat të shërbimeve të ofruara sipas Rregullores nr. 7/2012, e që janë pjesë e kushteve për certifikim.

Rregullimi Ekonomik

AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës. Rregullimi ekonomik i këtyre operatorëve nënkupton masat që merr një rregullator i aviacionit për t’u siguruar se tarifat të cilat i vendos aeroporti dhe ofruesi i shërbimeve të navigacionit ajror për kompanitë ajrore janë të vendosura në mënyrë të arsyeshme, transparente dhe jodiskriminuese. Për më tepër, rregullatori siguron që këto tarifa janë vendosur vetëm pasi që ofruesit dhe shfrytëzuesit e shërbimeve janë konsultuar mes veti duke i ofruar njëri-tjetrit të dhëna në mënyrë transparente. AAC-ja i rregullon dhe i miraton vetëm tarifat aeronautike, të cilat kanë lidhje me shërbimet të cilat aeroporti dhe ofruesi i shërbimeve të navigacionit ajror i ofrojnë ekskluzivisht, pa pasur kurrfarë konkurrence, siç janë tarifa e shërbimit të udhëtarëve, tarifa e aterrimit apo ajo terminale e navigacionit. Po ashtu, rregullatori mbikëqyr nëse qëndrueshmëria financiare e operatorëve, duke përfshirë të atyre që ofrojnë shërbime në tokë, është në nivel të duhur që të mos e dëmtojë sigurinë e operimeve.

Licencimi i Personelit

Çdokush që dëshiron të bëhet pilot, qoftë për aeroplan, helikopter, mjet ajror mikro të lehtë, velore (glider) apo ballonë me ajër të nxehtë, duhet të përshkojë një trajektore trajnimi të përcaktuar qartë. Kjo përfshin ligjërata teorike, si dhe trajnimin praktik në mjetit ajror në fjalë. Trajnimi përfundon me një provim. Pas trajnimit themelor, pilotët mund të ndjekin trajnime të mëtejshme për t’u bërë instruktor, pilot privat ose pilot komercial.

AAC-ja është përgjegjëse për lëshimin, ripërtëritjen dhe revokimin e licencave për personelin e aviacionit – ekuipazhin e fluturimit dhe personelin jo-pilot.

Lëshimi i licencave për kontrollorët e trafikut ajror dhe vlerësimi i gradimeve

AAC-ja është përgjegjëse për lëshim dhe ripërtëritjen e licencave të kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët ofrojnë shërbimet e kontrollit ajror në territorin e Republikës së Kosovës. Duke pasur parasysh rëndësinë e shërbimit të kontrollit të trafikut ajror në sigurinë e fluturimeve, kontrollorët duhet të përmbushin një varg të kërkesave dhe kushteve për të mirëmbajtur licencat dhe miratimet e tyre, të cilat dalin nga Rregullorja nr. 5/2012 mbi licencimin e kontrollorëve të trafikut ajror. Kërkesat kryesisht ndërlidhen me nivelin e kompetencës profesionale, përkatësisht me ndjekjen e trajnimeve profesionale përditësuese dhe ushtrimin e detyrave të kontrollorit të trafikut ajror për një numër të caktuar të orëve brenda vitit. Kontrollorët gjithashtu, në baza vjetore, i nënshtrohen vlerësimit profesional për të verifikuar nivelin e aftësive.

Licencimi i paraglajdistëve

Gjatë vitit 2014, AAC-ja ka lëshuar licencat e para për pilotë të deltaplanit dhe paraglajdit. Licencimi bëhet në përputhje me kërkesat ligjore të Rregullores nr. 1/2012 mbi Kushtet dhe mënyrën e përdorimit të deltaplanëve dhe paraglajdëve. Kandidatët duhet te kalojnë testet teorike dhe pjesën praktike. Përveç testimit teorik dhe praktik, të gjithë aplikuesit i nënshtrohen edhe ekzaminimit mjekësor, në përputhje me kërkesat e Ligjit për Aviacionin Civil.

Mjetet ajrore të ndaluara në Kosovë

Sipas nenit 45 të Ligjit për Aviacionin Civil, aeroplanët e kompanive ajrore që u është ndaluar nga BE-ja të operojnë në hapësirën ajrore të shteteve anëtare të BE-së, nuk janë lejuar të fluturojnë në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës. Për më tepër, lista e përditësuar e BE-së e kompanive ajrore të ndaluara është e postuar në faqen ne vijim: http://ec.europa.eu/transport/modes/air/safety/air-ban/doc/list_en.pdf

Institucionet tjera rregullatore

Në bazë të ligjit për Aviacion Civil, janë katër institucione publike që kanë përgjegjësi në aviacion: Ministria e Infrastrukturës, AAC-ja, MPB-ja dhe KHAIA. Ligji përcakton që Ministria e Infrastrukturës (MI) është përgjegjëse për rregullimin ekonomik të transportit ajror, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është përgjegjëse për rregullimin e aspekteve të sigurimit të aviacionit. Ndërsa ligji gjithashtu themelon Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), si institucion që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ministria e Infrastrukturës – Departamenti i Aviacionit Civil

Departamenti i Aviacionit Civil, i cili funksionon brenda Ministrisë së Infrastrukturës, zbaton një seri funksionesh regullatore sektorin e aviacionit civil të cilat i ushtron në bazë të Ligjit për Aviacionin Civil Nr. 03/L-051.

Harton legjislacionin primar për sektorin e aviacionit civil, zbaton Marrëveshjen për Themelimin e Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit, në kuadër të kompetencave te veta, zhvillon politikat kombëtare për transportin ajror;

Inicion hartimin e rregulloreve për zbatimin e rregullimit ekonomik të transportit ajror përveç sigurisë së aviacionit, ekonomisë së aeroporteve dhe shërbimeve të navigimit ajror;

Zbaton dhe merr masat e duhura për zhvillimin e Aviacionit Civil në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e Aviacionit Civil, përcjell zhvillimin e politikave dhe programeve të aviacionit civil dhe përgatitjen e rekomandimeve, lëshon licencat për ushtrimin e veprimtarisë së transportit ajror, bashkëpunon me Autoritetin e Aviacionit Civil dhe sipas nevojës edhe me Autoritete tjera përkatëse, konsultohet për çfarëdo negociate ose marrëveshje të cilat kanë të bëjnë me transportin ajror;

Inicion përpilimin e strategjisë për zhvillimin e aviacionit civil;

Mbanë një sistem të transportit ajror i cili është në mbështetje të tregut të konkurrencës në transportin ajror;

Mbanë një sistem rregullatorë të shëndoshë dhe transparent, i cili u përgjigjet nevojave të publikut;

Përkrahë transportuesit ajror ekzistues dhe ata të rinj për hyrjen e tyre në tregjet e transportit ajror, me qëllim të promovimit të një industrie më të efektshme dhe më konkurrente të aviacionit;

Përkrahë zhvillimin e një rrjeti të qëndrueshëm ekonomik të transportit ajror, i cili nxit zhvillimin ekonomik të brendshëm dhe atë rajonalë.

Zyra e Kryeministrit – Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike(KHAIA)

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, në Zyrën e Kryeministrit, është themeluar në bazë të Ligjit Nr. 03/L- 051 për Aviacionin Civil. KHAIA është përgjegjëse për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacion brenda Kosovës ose ku përfshihen avionët e regjistruar në Kosovë, kudo qofshin ata.

2. KHAIA është e autorizuar që të kërkojë nga cilido autoritet publik i Kosovës dhe/ose person privat ose organizatë në Kosovë që t’i japë asaj përkrahjen e nevojshme për kryerjen e një hetimi të përcaktuar me Ligjin për Aviacionin Civil ose një hetimi i cili kërkohet sipas një marrëveshje ndërkombëtare ose organizate ndërkombëtare të aviacionit.

3. Numri i të punësuarve në KHAIA është 3 (tre), njëri prej të cilëve është Kryesuesi i KHAIA-s si në vijim:

  • Një (1) inspektor të operimeve;
  • Një (1) inspektor i inxhinierisë;
  • Një (1) inspektor incizues i fluturimeve.

KHAIA është e autorizuar që të kërkojë nga cilido autoritet publik i Kosovës dhe/ose person privat ose organizatë në Kosovë që t’i japë asaj përkrahjen e nevojshme për kryerjen e një hetimi të përcaktuar ose një hetimi i cili kërkohet sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare ose të organizatave ndërkombëtare të aviacionit. Lajmërimi i një aksidenti apo incidenti ajrorë duhet të bëhet në tel: + 377 45 356 666 Adresa: Ndërtesa e Qeverisë, Kati VII, zyra Mr. 715, Sheshi “Nëna Terezë” p.n..

Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Sigurim të Aviacionit Civil

Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për vendosjen dhe ruajtjen e sigurimit ajror në Republikën e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë përkrahjen teknike nga AAC-ja lidhur me implikimet e sigurimit në aviacion. Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për zbatimin dhe aderimin në konventat ndërkombëtare si dhe aspektet e acquis communautaire të BE-së të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e aviacionit civil.

Kritikat

Anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtare

Aviacioni Civil i Kosovës edhe pse me një histori të re, funksionon si pjesë e rrjetit të aviacionit civil ndërkombëtar, më saktësisht si pjesë e aviacionit evropian, pasi që shumica e fluturimeve në Kosovë kanë destinacion vendet evropiane. Ky ndërkombëtarizim i sektorit përveç që shton obligimet për arritjen e standardeve ndërkombëtare të aviacionit civil poashtu vendos Kosovën në një pozitë jo të lakmueshme pasiqë Kosova ende nuk është pjesë e organizatave ndërkombëtare të aviacionit civil siç është ICAO ose EUROCONTROL-i.

Sidoqoftë, në mungesë të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare të aviacionit civil, rregullimi i sektorit të aviacionit civil do të thotë angazhim i njëanshëm nga Shteti i Kosovës dhe deri më tash pa mbikëqyrje të plotë për zbatimin e standardeve; anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do t’i siguronte Kosovës mbikëqyrje dhe auditim të jashtëm të sektorit të aviacionit lidhur me arritjen e standardeve p.sh. ICAO përmes programit USOAP bën auditimin dhe mbikëqyrjen e shteteve anëtare lidhur me implementimin e standardeve dhe praktikave të rekomanduara SARP te ICAO.

Funksionet Rregullatore

Përderisa funksionet rregullatore do duhej të ishin neutral ndaj politikës dhe të ndara ndaj funksioneve ministrore, në Kosovë shumë funksione rregullatore vazhdojnë të mbeten përgjegjësi e ministrive.

Disa nga çështjet më me interes për publikun si p.sh. mbrojtja e udhëtarëve nga mashtrimet e kompanive ajrore dhe e drejta për ankesë në rast të vonesave ose anulimit të fluturimit, dhënien e licencës së operimit, ose masave ndëshkuese të parapara me Rregulloren e MI-së nr. 2008/3 për transportuesit ajror, etj. janë përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës. Ngjashëm me sigurimin e aviacionit civil ku përgjegjësitë kryesore për sigurimin e aviacionit civil bien tek Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Divizioni për Sigurim të Aviacionit Civil, AACK-ja edhe pse përfaqëson autoritet rregullator, një pjesë e funksioneve rregullatore në aviacion kryhen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme; kështu që disa nga keqpërdorimet në sektorin e aviacionit nuk adresohen nga AACK-ja.

Pavarësia Financiare

Përderisa AACK-ja sipas ligjit duhet të sigurojë të hyra vetanake ashtu që këto të hyra t’i sigurojnë pavarësi institucionale, kjo agjenci shpenzon vetëm gjysmën e tarifës së mbledhur, aq sa i përcaktohet nga Ministria e Financave dhe në kundërshtim me kërkesën e saj buxhetore. AACK-ja arkëton 2 euro nga çdo udhëtar që niset nga ANP duke siguruar arkëtimin e mbi 1 milion e gjysmë euro në vit (1,634,706€ për vitin 2013, dhe 1,489,450€ për 2014), kurse shpenzimet për 2013 i kishte 729,460 € dhe 822,116 € për 2014.

Ndërhyrja direkte politike

Ndikimi politik përmes punësimit në këtë institucion megjithatë ka ndodhur përmes emërimit të anëtarëve të bordit mbikëqyrës në vitin 2009, të cilët nuk kishin përgatitje adekuate në fushën e aviacionit civil dhe kanë qëndruar në këto pozita deri në 2013.