Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE)
Me Vendimin nr. D/2012/04/MC-EnC të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore (KE EJL), Kosovës i është vendosur caku i detyrueshëm për BRE deri në vitin 2020. Sipas këtij detyrimi, 25% të konsumit përfundimtar të energjisë në Kosovë duhet të jetë nga BRE.
Për të përmbushur këtë obligim, Ministria e Zhvillimit Ekonomik me datë 31.01.2013 ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ nr. 01/2013, me të cilin ka përcaktuar caqet vjetore dhe afatgjate të Energjisë nga BRE. Udhëzimi nr. 01/2013 zëvendëson Udhëzimin Administrativ nr. 06/2007 për caqet indikative për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike nga BRE.
Në mënyrë që të arrihen caqet për prodhimin e energjisë elektrike nga BRE, të përcaktuar me Udhëzimin e cekur më lartë, dhe në përputhje me mandatin ligjor të dhënë me Legjislacionin për energjinë në fuqi, ZRRE gjatë këtij viti ka nxjerrë: Rregullën për skemën mbështetëse (për mbështetjen e prodhimit të energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë), dhe Metodologjinë për llogaritjen e tarifave nxitëse për energjinë solare fotovoltaike
Bordi i ZRRE-së, mbështetur në dokumentet e cekura më lartë, ka nxjerrë Vendimin V_673_2014 më 23 dhjetor 2014, ku ka përcaktuar tarifat nxitëse (“feed-in”) të energjisë elektrike të prodhuar nga BRE. Sipas këtij vendimi energjia elektrike e prodhuar nga uji (hidrocentralet <10MW) ka çmimin 63.3€/MWh, energjia elektrike e prodhuar nga era ka çmimin 85.0€/MWh, energjia elektrike e prodhuar nga biomasa solide ka çmimin 71.3€/MWh dhe energjia elektrike e prodhuar nga panelet solare/fotovoltaike ka çmimin prej 136.4€/MWh.
ZRRE ka përcaktuar edhe kohëzgjatjen e shitblerjes së energjisë elektrike nga BRE-të, ku për energjinë elektrike të prodhuar nga panelet fotovoltaike do të ketë kohëzgjatje prej 12 vjetësh, ndërsa për burimet tjera (hidroenergjia, energjia e erës dhe biomasa solide) do të kenë kohëzgjatje prej 10 vjetësh, me çmime (tarifa nxitëse) të aplikuara dhe të pranuara në skemën mbështetëse.
Licencimi Dhe Autorizimi Për Ndërtimin E Kapaciteteve Tё Reja
Licencat
Zyra e Rregullatorit për Energji bënë licencimin e aktiviteteve të energjisë në Kosovë. Deri më tani ZRRE ka bërë licencimin e këtyre aktiviteteve: prodhimit, shpërndarjes, transmisionit, furnizimit, importit/eksportit të energjisë elektrike; prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimi me ngrohje qendrore, si dhe aktivitetin e bashkëprodhimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Në mënyrë që disa aktivitete në sektor të energjisë të kryhen më lehtë, pa pasur nevojë të pajisen me licencë, Ligjet në fuqi e lejojnë këtë për ndërmarrjet të cilat dëshirojnë të kryejnë këtë aktivitet, e t\ të cilat nuk kanë ndikim në sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Pra, aktivitetet të cilat janë të liruara të pajisen me licencë janë:
- prodhimi i energjisë elektrike me kapacitet nën 5 MW;
- prodhimi i ngrohjes për konsum vetanak me kapacitet nën 1 MW;
- prodhimi i energjisë elektrike për konsum vetanak nëse stabilimenti i prodhimit apo
konsumatori nuk lidhet në sistemin e transmisionit apo shpërndarjes; dhe
- deponim i gazit natyror ku kapaciteti total i deponimit nuk tejkalon dhjetëmijë metra kub.
Autorizimi-Ndërtimi i kapaciteteve të reja
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, çdo aplikuesi për marrjen e autorizimit i nënshtrohet analizës së rregullshmërisë dhe plotësimit me korrektësi të dokumentacionit. Këtu përfshihen dokumentacioni ligjor, administrativ, financiar, teknik dhe mjedisor, marrja e lejeve përkatëse të përdorimit të ujit, e drejta e shfrytëzimit të tokës, zgjedhja teknike dhe pëlqimi mjedisor të lëshuara nga institucionet relevante në përputhje me aktivitetin që subjektet kanë kërkuar për marrjen e autorizimit preliminar apo autorizimit final për ndërtim.
Shkarkoni regjistrin mbi Licencat dhe autorizimet e leshura nga ZRE
Tarifat e energjisë me pakicë
Struktura e tarifave me pakicë e Energjisë Elektrike për konsumatorët e rregulluar e zbatueshme nga data 1 prill 2016 – Shkarko
Përkujdesja Ndaj Konsumatorëve
Sipas dispozitave të Rregullës për Zgjidhjen e Ankesave dhe Kontesteve në Sektorin e Energjisë, të gjithë konsumatorët kanë të drejtë që të parashtrojnë ankesa që kanë të bëjnë me shërbimet e ofruara nga furnizuesi ose operatori i sistemit, e që këto ankesa fillimisht duhet t’i drejtohen furnizuesit si organi i shkallës së parë, i cili bën shqyrtimin e ankesës dhe lëshon përgjigje brenda afatit ligjor. Konsumatori pas marrjes së përgjigjes mund t’i drejtohet ZRRE-së për shqyrtim të mëtutjeshëm e cila konsiderohet si organ i shkallës së dytë